Dr. SABIHA SHALA-KANDIDATE PËR KRYETARE TË PEJËS

441

General

SABIHA SHALA-KANDIDATE PËR KRYETARE TË PEJËS

Prof. Ass. Dr. Sabiha Shala është lindur më 01.03.1981 në Loxhë të Pejës, në një familje patriotike, babai i së cilës, Zeqë R. Shala ishte i burgosur politik në vitet e 60-ta. Familja e ngushtë e Zonjës Shala përbëhet nga bashkëshorti Agroni si dhe dy fëmijët, Gerta dhe Fatoni.
Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes, ndërsa Shkollën e Mesme në Gjimanzin “Bedri
Pejani”, në Pejë.

Në vitin 2004 ka përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, për të vazhduar më tutje me studimet postdiplomike për Master të së Drejtës Ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian në Riga të Letonisë, të cilat i kreu në vitin 2005. Me temën “Integrimi i Republikes së Kosovës në Bashkimin Evropian”, kreu studimet e Doktoraturës në Universitetin e Nice-së në Francë.

Përveç këtyre studimeve të rregullta, ka përfunduar studime të specializuara në fushën e diplomacisë, në Akademinë Diplomatike Shqiptare, Akademinë Diplomatike të Vjenës dhe Akademinë Diplomatike të Kroacisë (Ministria e Punëve të Jashtme të Kroacisë).

Duke studjuar dhe jetuar në vende të ndryshme të Evropës dhe me gjerë, ajo arriti të përvetësojë në të shkruar dhe në të folur në Gjuhën Angleze dhe Frënge. Ajo po ashtu, ka njohuri bazike të Gjuhës Turke dhe Italiane.

Prof. Ass. Dr. Sabiha Shala aktualisht ushtron pozitën si Prorektore për Mësim-dhënie, Çështje
Studentore dhe Hulumtime Shkencore, në Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë dhe si Profesor Asistente në të njëjtin Universitet-Fakulteti Juridik. Ndërkohë që përvojën e saj profesionale e kishte filluar që nga viti 2002, pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe në Komisionin Evropian në Bruksel si intern.

Përvoja profesionale e Prof. Ass. Dr. Sabiha Shala begatohet edhe me pozita të shumta menaxheriale që ka ushtruar nga viti 2007 duke qenë: Drejtore në Sektorin e Agjencisë për Integrim Evropian pranë Zyrës së Kryeministrit/Drejtoria për Menaxhimin e Mekanizmit Përcjellës Stabilizim Asociim, për të vazhduar më pastaj si Kryeshefe në po të njëjtën Agjenci; ka qenë Bashkë-themeluese dhe Drejtore e Qendrës Nacionale për Analizë të Legjislacionit Evropian (NACEL). Për më tepër, nga gushti i vitit 2013 deri në shtator 2015-të, ka qenë e emëruar si Zëvendes-kryetare e Këshillit Drejtues të Universitetit Publik “Haxhi Zeka” në Pejë.

Prof. Ass. Dr. Sabiha Shala ka poashtu përvojë të gjatë profesionale në organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke qenë: Eksperte e DIFID/Qeveria e Britanisë së Madhe, si Konsulente në Zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut; Këshilltare Vendore pranë OSBE – së; Eksperte Ligjore në FAO/ Kombet e Bashkuara; si dhe në OECD/Sigma si Eksperte në sektorin e Politikë-bërjes dhe Koordinimit. Prof. Ass. Dr. Sabiha Shala, ekspertizën, njohurinë dhe kontributin e saj e ka dhënë edhe si Ligjëruese pranë Kolegjit Universitar të Biznesit-Fakulteti Juridik-Prishtinë, dhe në kolegjin ESLG.

Biografia e saj është pasuruar edhe me publikime të punimeve shkencore dhe raporteve të ndryshme dhe pjesëmarrje në trajnime dhe konferenca vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.
Përveç anës profesionale, Prof.Ass. Dr. Sabiha Shala ka qenë e angazhuar në aktivitete politike duke qenë aktiviste e Partisë Demokratike të Kosovës që nga themelimi i kësaj partie.

Në vitin 2007, ajo ka qenë kandidate për Deputete në Kuvendin e Kosovës. Aktualisht, Prof. Ass. Dr. Sabiha Shala është Anëtare e Kryesisë së Gruas Demokratike –Dega në Pejë.